Situata në Himarë është përmirësuar pas zjarrit të fuqishëm që shpërtheu mbrëmjen e së premtes në kodrat përreth qytetit, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha me ullinj dhe duke rrezikuar banesa e hotele.
Flakët, të favorizuara nga erërat e forta dhe temperaturat e larta, u përhapën me shpejtësi, ndërsa terreni i vështirë e bëri më të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Për përballimin e situatës u angazhuan rreth 300 forca zjarrfikëse dhe të Forcave të Armatosura, ndërsa në ndihmë të Himarës mbërritën edhe forca nga bashki të tjera.
Pavarësisht izolimit të zjarrit, dëmet në zonë janë të konsiderueshme. Sipas banorëve, mbi 6 mijë rrënjë ullinj shekullorë janë përfshirë nga flakët, ndërsa janë dëmtuar edhe gjashtë banesa, tre prej të cilave ishin të pabanuara.
Banorët e kanë cilësuar ngjarjen si një prej zjarreve më të mëdha të përjetuara në zonë gjatë dekadave të fundit dhe kanë bërë apel për ndihmë për përballimin e pasojave.

Falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe ushtrisë, zjarri është izoluar dhe situata është qetësuar, por rreziku nuk ka kaluar plotësisht.
Forcat në terren vijojnë monitorimin e zonës, pasi vatrat e nxehta dhe trungjet e djegura të ullinjve mund të favorizojnë riaktivizimin e flakëve.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të tregohen të kujdesshëm dhe të njoftojnë menjëherë strukturat përkatëse në rast të shfaqjes së ndonjë vatre të re.


