Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në një hotel në zonën e Orikumit, në Vlorë, ku një grup prej më shumë se 10 personash dyshohet se ka shkuar për t’i vendosur gjobë pronarit të hotelit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30. Sipas informacioneve paraprake, personat fillimisht kanë kërcënuar pronarin me fjalë, ndërsa më pas situata është përshkallëzuar dhe dyshohet se janë përdorur edhe armë.
Grupi dyshohet se i ka kërkuar pronarit shumën prej 5 milionë eurosh. Gjatë përplasjes mes palëve ka pasur edhe konflikt fizik, ndërsa personat janë larguar me shpejtësi nga ambientet e hotelit.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur ndjekjen e personave të dyshuar.
Gjatë ndjekjes, dy persona që udhëtonin me një automjet janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të qytetit të Vlorës. Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, njëri prej tyre ka pësuar dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka marrë dëmtime si pasojë e aksidentit.
Ndërkohë, forca të shumta policie janë angazhuar në disa zona të Vlorës, në përpjekje për të lokalizuar dhe kapur personat e tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.
Policia po vijon kontrollet dhe hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të incidentit, identifikuar personat e përfshirë dhe dokumentuar rrethanat e ngjarjes.
Shënim i redaksisë: Informacionet e mësipërme janë paraprake dhe në këtë fazë redaksia jonë nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur të gjitha detajet e ngjarjes. Bëhet fjalë për informacione që po qarkullojnë dhe po shpërndahen aktualisht në media, ndërsa pritet konfirmimi zyrtar nga Policia e Shtetit për dinamikën dhe rrethanat e plota të incidentit.


