Një situatë e rrezikshme është regjistruar në zonën e Spillesë, ku një skaf me tetë persona në bord pësoi defekt në motor dhe nisi të mbushej me ujë, duke rrezikuar fundosjen.
Ngjarja u konstatua gjatë monitorimit të hapësirës detare, pasi autoritetet morën njoftim se një mjet lundrues kishte nevojë për ndihmë. Skafi ndodhej rreth 1 milje nga bregu, në drejtim të Forsilukut.
Në bord ndodheshin tetë anëtarë të së njëjtës familje. Pas mbërritjes në vendngjarje, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare ndërhynë për t’i ardhur në ndihmë familjes dhe për të shmangur fundosjen e mjetit.
Policia bëri të mundur tërheqjen e skafit dhe nxjerrjen e tij në breg, në zonën e Karpenit.
Fatmirësisht, të tetë personat rezultuan në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk pati të lënduar. Ata falënderuan shërbimet e Policisë për ndërhyrjen dhe ndihmën e dhënë.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se skafi kishte dokumentacion të rregullt, ndërsa drejtuesi i tij dispononte edhe leje drejtimi.
Ngjarja përfundoi pa pasoja për familjen, falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve detare.
Njoftimi i Policisë:
“Gjatë monitorimit të hapësirës detare në zonën e Spillesë, pas njoftimit se një mjet lundrues kërkonte ndihmë, rreth 1 milje nga bregu, në drejtim të Forsilukut, shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare reaguan menjëherë, duke konstatuar një mjet lundrues tip skaf, në të cilin ndodheshin 8 shtetas, i cili kishte pësuar defekt në motor, ishte mbushur me ujë dhe rrezikonte të fundosej.
Shërbimet e Policisë i kanë dhënë ndihmën e nevojshme drejtuesit të skafit dhe 7 familjarëve të tij, duke tërhequr mjetin lundrues dhe e nxjerrë atë në breg, në Karpen.
Të 8 shtetasit që ndodheshin në skaf ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe falënderuan shërbimet e Policisë për ndihmën e dhënë.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se mjeti lundrues kishte dokumentacion të rregullt, ndërsa drejtuesi dispononte leje drejtimi.”


