Në foto Florian Habilaj
Një kërkesë e thjeshtë për të marrë pagën e tij është kthyer në një makth për një 18-vjeçar që punonte si kamarier në zonën e Golemit.
Ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur në ambientet e “Flar Boutique Hotel”, ku i riu, sipas denoncimit, ka kërkuar të marrë paratë që i takonin për punën e kryer. Por ajo që duhet të ishte një bisedë normale mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, përfundoi me dhunë brutale.
Sipas informacioneve të siguruara, Arbër dhe Florian Habilaj, të cilët denoncuesit i identifikojnë si pronarë të hotelit, së bashku me persona të tjerë, dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj 18-vjeçarit, duke i shkaktuar dëmtime që kanë kërkuar trajtim mjekësor.
Pas dhunimit, autorët dyshohet se janë përpjekur të pastrojnë ambientin ku ndodhi ngjarja dhe të ndërhyjnë në sistemin e kamerave të sigurisë së biznesit, në një tentativë të dyshuar për të zhdukur gjurmët dhe pamjet që mund të dokumentonin atë që kishte ndodhur.
Një situatë edhe më e rrezikshme është krijuar më pas, pasi xhaxhai i 18-vjeçarit, pasi ka mësuar për dhunën ndaj nipit të tij, dyshohet se ka marrë armën dhe ka tentuar të bëjë vetëgjyqësi. Fatmirësisht, situata nuk përfundoi në një tragjedi edhe më të madhe.
Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si trajtohen punëtorët që kërkojnë të drejtën e tyre për të marrë pagën.
Nëse një 18-vjeçar mund të përfundojë në spital vetëm sepse kërkon djersën e tij, atëherë nuk kemi të bëjmë më thjesht me një konflikt pune, por me një situatë që kërkon reagim të menjëhershëm të institucioneve.
Tashmë pritet që organet ligjzbatuese të zbardhin plotësisht ngjarjen, të verifikojnë kamerat, dëshmitë dhe çdo provë tjetër dhe të përcaktojnë përgjegjësitë për personat e përfshirë.
Puna nuk paguhet me grushte por me para!


