Biznesmeni Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK, është arrestuar nga Forcat Operacionale. Bashkë me të është prangosur edhe Ulian Shpataraku, ish-punonjës i Policisë së Shtetit.
Operacioni është zhvilluar pas lokalizimit të dy personave në qytetin e Elbasanit, ku ata dyshohet se lëviznin me një automjet. Forcat e policisë i kanë mbajtur nën vëzhgim dhe i kanë ndjekur deri në Durrës, ku ndërhyrja për arrestimin e tyre është kryer në zonën e Plepave.
Ergys Agasi ishte shpallur në kërkim me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO-së, nën dyshimet se qëndronte në krye të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas dyshimeve të ngritura nga hetimet, grupi ushtronte presion, përdorte konkurrencë të pandershme dhe ndikim për të paracaktuar fituesit e tenderëve në institucionin e AKSHI-t.
Në pranga ka përfunduar edhe Ulian Shpataraku, ish-punonjës policie dhe person i konsideruar i afërt me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Detajet mbi rolin konkret të Shpatarakut dhe akuzat që rëndojnë ndaj tij pritet të bëhen të ditura nga autoritetet në njoftimin zyrtar për operacionin.


