Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e kësaj të hëne fshatin Zhymë të Lushnjës, ku një person dyshohet se ka vrarë nënën e tij dhe ka plagosur rëndë babanë, duke i goditur me sëpatë.
Sipas informacioneve paraprake, autori i identifikuar është 45-vjeçari Florian Dalladaku. Pas ngjarjes, ai është larguar nga banesa dhe ndodhet në arrati, ndërsa Policia ka nisur kërkimet për kapjen e tij.
Babai i autorit 77-vjeçari Hasan Dalladaku ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar për ndihmë mjekësore, ndërsa nëna e tij 80-vjeçarja Fanije Dalladaku nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Nga të dhënat e para, Dalladaku dyshohet se kishte probleme të shëndetit mendor. Gjithashtu, sipas informacioneve të raportuara, ai ka pasur edhe një precedent të mëparshëm penal.
Më herët, në të njëjtin fshat, dyshohet se kishte tentuar të sulmonte një person me sende të forta.
Pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, forcat e Policisë kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur kontrollet për lokalizimin e autorit.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e krimit, ndërsa materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


