Një 53-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Mullet, pasi dyshohet se ka qëlluar me pistoletë në ajër, në afërsi të një lokali ku ndodhej një 23-vjeçar me të cilin ishte konfliktuar më herët.
Ngjarja u regjistrua në afërsi të një lokali në fshatin Mullet, pas një konflikti që dyshohet se kishte nisur për motive të dobëta.
Pas marrjes së njoftimit për të shtënat, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 ndërhynë menjëherë në zonë dhe nisën verifikimin e rrethanave.
Në kuadër të operacionit të koduar “Njoftimi”, policia bëri të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit F. Ç., 53 vjeç, banues në Mullet.
Sipas hetimeve paraprake, 53-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me pistoletë në ajër, përballë lokalit ku ndodhej A. H., 23 vjeç, me qëllim kanosjen e tij, pasi të dy kishin pasur një konflikt më herët.
Gjatë ndërhyrjes, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit dhe municionin, ndërsa rezulton se 53-vjeçari e posedonte armën pa leje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


