Detaje të reja janë bërë publike për krimin e dyfishtë në Nea Smyrni të Athinës, ku 45-vjeçarja shqiptare Julieta Obzova u vra me armë zjarri nga ish-partneri i saj, 48-vjeçari Altin Allmuça, i cili më pas vrau veten.
Sipas mediave greke, kamerat e sigurisë së pallatit kanë regjistruar momentet e fundit të 45-vjeçares, duke ndihmuar hetuesit në rindërtimin e dinamikës së ngjarjes.
Kamerat regjistruan përplasjen mes tyre
Nga pamjet e kamerave, Allmuça dyshohet se kishte parkuar automjetin pranë pallatit dhe kishte pritur që Obzova të dilte nga ndërtesa.
Kur 45-vjeçarja doli, dyshohet se mes tyre pati një bisedë për disa minuta. Më pas, situata u përshkallëzua dhe 48-vjeçari dyshohet se e kërcënoi me armë.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, ai e detyroi gruan të ulej në gjunjë dhe më pas e qëlloi me armë zjarri dy herë. Obzova humbi jetën në vend, ndërsa pak çaste më vonë Allmuça përdori të njëjtën armë për t’i dhënë fund jetës.
Hetuesit po fokusohen te marrëdhënia që dyshohet se kishte ekzistuar mes dy shqiptarëve. 48-vjeçari rezulton të ishte i martuar dhe baba i një fëmije, ndërsa 45-vjeçarja ishte e divorcuar dhe jetonte me vajzën e saj të mitur.
Dyshohet se marrëdhënia mes tyre kishte përfunduar dhe se Allmuça ishte bërë xheloz, ndërsa po verifikohen edhe pretendimet se ai e kishte kërcënuar më herët viktimën.
Policia greke po merr në pyetje familjarë, miq dhe persona të tjerë që mund të kenë pasur dijeni për marrëdhënien mes tyre, ndërsa po analizohen edhe komunikimet dhe aktiviteti në rrjetet sociale


