Detaje të reja kanë dalë në dritë nga krimi i dyfishtë që tronditi Athinën, ku shqiptari Altin Allmuça dyshohet se vrau partneren e tij, 45-vjeçaren Julieta Obzova, dhe më pas kreu vetëvrasje.
Sipas mediave greke, Allmuça ishte i martuar dhe baba i një fëmije. Bashkëshortja e tij mësohet t’u ketë deklaruar autoriteteve se nuk kishte dijeni për marrëdhënien që ai dyshohet se kishte me 45-vjeçaren.
Policia greke po heton në detaje marrëdhënien mes dy viktimave, ndërsa ende nuk është përcaktuar me saktësi kohëzgjatja dhe dinamika e saj, si dhe motivi që çoi në ngjarjen e rëndë.
Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë kontrolluar banesën e Allmuçës në Tavros, në përpjekje për të gjetur prova që mund të hedhin dritë mbi marrëdhënien me 45-vjeçaren dhe mbi përgatitjet e mundshme për krimin.
Hetuesit po shqyrtojnë pajisjet elektronike, dokumentet dhe sende të tjera të gjetura në banesë, të cilat mund të ndihmojnë në rindërtimin e lëvizjeve të tij para ngjarjes.
Gjithashtu, në fokus janë telefonat celularë dhe aktiviteti online i dy personave. Autoritetet po analizojnë komunikimet mes tyre për të përcaktuar nëse ka pasur kontakte, takime apo konflikte në ditët ose javët para krimit.
Mediat greke kanë publikuar edhe fotografinë e viktimës Julieta Obzova, ndërsa nëna e saj ka treguar mes lotësh se nuk dinte asgjë për lidhjen e të bijës.
Nëna e 45-vjeçares mësoi për vrasjen vetëm pak kohë pas ngjarjes, kur u telefonua nga vajza tjetër e saj, e cila i dha lajmin e rëndë.

“Nuk di asgjë. Nuk më kishte thënë asgjë. Tani mësova për vajzën time. Më telefonoi vajza tjetër dhe ma tha pak më parë. Nuk më kishte folur për lidhjen e saj. Me ish-bashkëshortin ishte ndarë prej shumë kohësh”, tha nëna ajo per mediat.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu motivin e saktë të ngjarjes dhe nëse konfliktet apo problemet në marrëdhënien mes dy personave kanë luajtur rol në tragjedi.


