Një ngjarje e rëndë ka tronditur Nea Smyrninë e Athinës, ku një 48-vjeçar shqiptar, Altin Allmuca, dyshohet se vrau me armë zjarri partneren e tij, 45-vjeçaren Julieta Obzova, dhe më pas i dha fund jetës.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, pranë hyrjes së një pallati në rrugën “Grigoriou Kydonion”, ku 45-vjeçarja jetonte së bashku me vajzën e saj 16-vjeçare.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, Allmuca kishte mbërritur më herët në zonën pranë pallatit dhe dyshohet se e kishte pritur 45-vjeçaren brenda automjetit të tij.
Kur Julieta Obzova doli nga pallati, 48-vjeçari dyshohet se doli nga makina, iu afrua dhe e qëlloi me armë zjarri duke e lënë trupin e saj të pajetë në hyrje të ndërtesës.
Menjëherë pas kësaj, sipas hetuesve, Allmuca përdori të njëjtën armë edhe ndaj vetes. Të dy trupat u gjetën të pajetë në hyrje të pallatit.
Arma u gjet pranë trupit të 48-vjeçarit, ndërsa ky element po konsiderohet nga autoritetet si një nga provat që mbështet pistën e vrasjes së 45-vjeçares dhe më pas vetëvrasjes së autorit të dyshuar.
Sipas të dhënave të deritanishme, 48-vjeçari dhe viktima kishin pasur një marrëdhënie, ndërsa motivi i saktë i krimit ende nuk është përcaktuar nga autoritetet.
Pista kryesore e hetimit është ajo e xhelozisë, ndërsa policia po verifikon se çfarë kishte ndodhur mes tyre përpara ngjarjes.
Një element tjetër që po hetohet është një denoncim i bërë nga 45-vjeçarja në vitin 2024 ndaj një ish-partneri, pas ndarjes. Megjithatë, nuk është konfirmuar ende nëse personi i denoncuar në atë kohë ishte Altin Allmuca.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu aktivitetin e 48-vjeçarit në rrjetet sociale. Në disa fotografi të publikuara më herët, Allmuca shfaqej duke pozuar me armë zjarri.

Policia po verifikon nëse armët e shfaqura në këto fotografi kanë ndonjë lidhje me revolverin e gjetur pranë trupit të tij.
Dëshmitë e banorëve të zonës janë bërë gjithashtu pjesë e hetimit. Një prej tyre ka deklaruar se ka dëgjuar tri të shtëna rreth orës 05:30 të mëngjesit, ndërsa një tjetër ka përshkruar tri zhurma të forta me disa sekonda diferencë mes tyre.
Autoritetet greke po mbledhin pamjet e kamerave të sigurisë, dëshmitë e banorëve dhe të dhëna të tjera për të rindërtuar minutë pas minute ngjarjen.
Në fokus është edhe përcaktimi i kohës që 48-vjeçari kishte kaluar pranë pallatit, nëse ai e kishte planifikuar më herët takimin me 45-vjeçaren dhe çfarë e kishte çuar marrëdhënien mes tyre drejt kësaj tragjedie.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e krimit.


