Një 17-vjeçare ka humbur jetën në një sulm të rëndë me shpatë në një shkollë të mesme në Fagersta, në Suedinë qendrore.
Ngjarja ndodhi të premten në shkollën Brinell, ku përveç viktimës, dy djem 12 dhe 17 vjeç mbetën të plagosur rëndë, ndërsa një person tjetër pësoi dëmtime të lehta.
Policia suedeze ka arrestuar një 18-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. Autoritetet po e hetojnë ngjarjen si vrasje dhe tentativë vrasjeje.
“U përdorën armët e shërbimit, por autori nuk është plagosur gjatë arrestimit dhe nuk ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore”, tha një zëdhënës i policisë për të përditshmen Aftonbladet..
Mediat suedeze raportojnë se i dyshuari dyshohet se mbante një helmetë dhe se mund të ketë qenë ish-nxënës i shkollës.
Sulmi ndodhi pak pasi nxënësit ishin rikthyer në ambientet e shkollës pas pushimeve verore. Autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në zonë pas ngjarjes, por ajo u hoq të shtunën.
Të shtunën në mëngjes, kryeministri suedez Ulf Kristersson dhe liderja e opozitës Magdalena Andersson vizituan shkollën, ku janë vendosur lule dhe homazhe në kujtim të viktimës.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson , dhe liderja e Partisë Socialdemokrate, Magdalena Andersson, vizitojnë memorialin e improvizuar.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të sulmit vijojnë.


