Është rënduar bilanci i aksidentit tragjik të ndodhur më 19 gusht në Manëz të Durrësit pasi këtë mëngjes ndërroi jetë edhe 16-vjeçari Klevis Dervishi ,riu i cili kishte mbetur i plagosur rëndë në aksident.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 02:22 të 19 gushtit, në një rrugë dytësore në Manëz. Të rinjtë po ktheheshin nga një lokal nate në Maminas, kur automjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga, u përplas me një bordurë betoni dhe më pas u përmbys.
Sipas të dhënave të ekspertizës, automjeti dyshohet se po lëvizte me shpejtësi shumë të lartë, rreth 114–130 km/orë, para përplasjes fatale.
Në vendngjarje humbën jetën drejtuesi i mjetit, Kleo Vrioni, 25 vjeç, bashkëshortja e tij italiane, Sara Brugnatelli, 26 vjeç, si dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri.
Çifti Kleo Vrioni dhe Sara Brugnatelli ishte martuar në Shqipëri vetëm dy ditë para aksidentit tragjik.
Ndërkohë, 16-vjeçari Klevis Dervishi u transportua në gjendje të rëndë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Aksidenti ka tronditur familjarët dhe komunitetin, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes.


