Ngjarja e rëndë që ndodhi në Ksamil rreth orës 05:15, ku 20-vjeçari francez Miguel Mendes u gjet pa shenja jete në shezlongët pranë beach barit “Principotes”, ka tronditur pushuesit dhe turistët që ndodheshin në zonë.
Sipas të dhënave paraprake, Mendes, i cili kishte ardhur në jug të Shqipërisë me një grup turistësh francezë, ishte përfshirë në një konflikt me 29-vjeçarin Sokrat Vata, banues në Has dhe i punësuar si truprojë. Dyshohet se konflikti ka nisur për motive të dobëta dhe në qendër të tij mund të ketë qenë një vajzë. I riu francez është nxjerrë nga lokali deri te porta, ku dyshohet se Vata e ka goditur disa herë me thikë në shpinë dhe kraharor, duke i shkaktuar vdekjen.
Pas krimit, Sokrat Vata u largua nga vendi i ngjarjes dhe për disa orë vijoi të jetë në arrati, por u arrestua nga policia në Levan i fshehur në bagazhin e një makine, gjatë një kontrolli policor. Ngjarja ka shkaktuar tronditje edhe te pushuesit në Ksamil, të cilët kanë deklaruar se nuk prisnin një krim të tillë në një zonë të frekuentuar nga turistë dhe familje me fëmijë.
Një tjetër detaj që e bën edhe më të rëndë profilin e të dyshuarit është e kaluara e tij në Britaninë e Madhe. Sipas BBC, Vata ishte dënuar në vitin 2024 me pesë vite burg nga Gjykata e Kurorës në Cambridge, pasi kishte pranuar fajësinë për dy akuza për posedim të drogave të klasës A me qëllim shpërndarjen, dy akuza për drejtim të rrezikshëm, posedim kanabisi dhe drejtim nën efektin e drogës. Ai ishte përfshirë në dy ndjekje policore në Kent dhe Cambridge, ndërsa gjatë një prej episodeve policia gjeti kokainë dhe targa automjetesh. Rrethanat se si 29-vjeçari përfundoi sërish në Shqipëri, pavarësisht dënimit në Britani, mbeten për t’u sqaruar.


