Një ngjarje e rëndë ka tronditur Ksamilin në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku një 20-vjeçar francez është gjetur i pajetë në shezlongët e një plazhi, përpara një lokali.
Viktima është identifikuar si Migel Mendes. Sipas të dhënave paraprake të Policisë, rreth orës 05:15 i riu është gjetur pa shenja jete dhe dyshohet se është goditur me mjet prerës, pas një konflikti për motive të dobëta.
Për ngjarjen, Policia dyshon si autor 29-vjeçarin Sokrat Vata, banues në Has, i cili pas konfliktit dyshohet se është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Shërbimet e Policisë kanë nisur kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Kush është Sokrat Vata?
Sokrat Vata, 29 vjeç, rezulton të ketë qenë i dënuar më parë në Angli për vepra penale të lidhura me trafikimin e drogës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjetit.
Sipas të dhënave të bëra publike në media lidhur me çështjen në Britaninë e Madhe, Vata ishte arrestuar pas dy rasteve të ndjekjes nga policia, ku ishte i përfshirë në trafikimin e kokainës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjeteve.
Në një prej rasteve, më 30 prill, policia në Kembrixh e pikasi duke drejtuar një automjet Toyota të vjedhur. Vata tentoi të largohej, ndërsa pasagjeri zbriti nga makina dhe ai vijoi arratinë në këmbë.
Gjatë ndjekjes, ai hodhi një pako me kokainë në shkurre, por u kap nga efektivët. Gjatë kontrollit iu gjetën edhe 560 paund, ndërsa rezultoi pozitiv në testin për drejtim automjeti nën efektin e drogës.
Në një tjetër rast, në Kent, më 13 prill, Vata nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe përplasi një automjet me targa të klonuara. Në automjet u gjetën qese me kokainë dhe targa.
Pas arrestimit, ai doli përpara Gjykatës së Kurorës së Kembrixhit, ku pranoi akuzat për posedim të drogës së klasit A me qëllim furnizimin, drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim nën efektin e drogës.
Për këto vepra, Sokrat Vata u dënua me pesë vite burgim në vitin 2024.
Policia vijon kërkimet për kapjen e tij, ndërsa motivi i saktë i konfliktit dhe dinamika e plotë e ngjarjes mbeten ende për t’u sqaruar.


