Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në Palasë, ku një punëtor ndërtimi, me inicialet I.H., është aksidentuar gjatë punës nga një mjet i rëndë, skrep.
Sipas informacioneve, punëtori dyshohet se ka pësuar dëmtime të rënda në të dyja këmbët dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore. Raportimet paraprake në media flasin edhe për dyshime për amputim të njërës prej gjymtyrëve, por gjendja e saktë e tij pritet të përcaktohet nga mjekët.
Ngjarja ngre edhe një herë pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si kontrollohen kantieret e ndërtimit në Palasë, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik.
Nëse punimet në kantieret e ndërtimit janë të ndaluara gjatë sezonit, atëherë kush po punon sot në Palasë? Kush i kontrollon këto kantiere dhe kush mban përgjegjësi kur një punëtor del i masakruar nga një kantier?
Ndërkohë që institucionet çdo ditë dalin me deklarata për luftën kundër paligjshmërisë, në terren duket se realiteti është krejt tjetër. Në Palasë, makineritë e Oligarkëve vijojnë të punojnë dhe ndërtimet vijojnë sikur të mos ketë asnjë rregull, ndërsa punëtorët ekspozohen ndaj rreziqeve serioze.
Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për respektimin e ndalimit të punimeve gjatë sezonit. Bëhet fjalë mbi të gjitha për jetën dhe sigurinë e njerëzve që punojnë në këto kantiere.
Sa jetë të tjera duhet të rrezikohen që institucionet të reagojnë?
A duhet të presim një tjetër viktimë që dikush të kujtohet se në kantieret e ndërtimit ka rregulla, masa sigurie dhe përgjegjësi ligjore?
Palasa nuk mund të kthehet në një zonë ku ligji zbatohet vetëm për qytetarin e zakonshëm, ndërsa kantieret e mëdha vazhdojnë punën pa u shqetësuar nga kontrollet.
Sepse një gjë është e sigurt: një kantier mund të ndërtojë vila, hotele dhe resorte, por asnjë projekt nuk mund të justifikojë sakrifikimin e jetës së një punëtori.
Dhe këtë ngjarje nuk e mbulon dot as propaganda, as fasada turistike e Palasës, as deklaratat e radhës për luftën ndaj paligjshmërisë.


