Një tentativë vrasjeje ka tronditur pasditen e sotme qytetin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në hyrje të qytetit, ku një person dyshohet se ka tentuar të qëllojë me armë zjarri ndaj një qytetari.
Ngjarja ka ndodhur në lokalin “Art Coffee Bistro”, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në hyrje të qytetit të Elbasanit.
Sipas informacioneve paraprake, autori, i cili mbante një kapele në kokë, ndodhej në lokal së bashku me një grua. Në një moment, ai është ngritur dhe është drejtuar drejt personit që dyshohet se ishte shënjestra e tij i cili po kalonte pranë lokalit.
Kur ka tentuar të qëllojë, arma me të cilën do kryhej qitja ka ngecur, duke bërë që tentativa të dështojë. Pas incidentit, autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të plagosur. Ngjarja ka shkaktuar panik te qytetarët që ndodheshin në lokal në momentin e incidentit.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, i cili është shpallur në kërkim.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes. Vijojnë veprimet për sigurimin e provave dhe identifikimin e personit që dyshohet se qëlloi me armë.
Video nga skena e ngjarjes


