Kryeministri Edi Rama ka mbërritur mbrëmjen e sotme në fshatin Vajzë të Vlorës, ku po zhvillohet festa e fshatit. Në pritje të tij ka qenë kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, i cili vetëm pak ditë më parë ishte rreshtuar publikisht kundër shkrirjes së bashkisë që drejton dhe bashkimit të saj me Bashkinë Vlorë.
Vizita e Ramës vjen në një moment kur debati për reformën e re territoriale ka ndezur diskutimet në Selenicë.
Këshilli Bashkiak i Selenicës, në një mbledhje të jashtëzakonshme, ka votuar kundër propozimit për shkrirjen e bashkisë. Kundër kanë dalë si këshilltarët e majtë, ashtu edhe ata të djathtë, të cilët kanë argumentuar se bashkimi me Vlorën do të cenonte përfaqësimin dhe interesat e banorëve të zonës.
Edhe kryebashkiaku Nertil Bellaj është shprehur kundër zhbërjes së Bashkisë Selenicë, duke deklaruar se për propozimin kishte mësuar vetëm pasi drafti ishte bërë publik në media.
Bellaj ka argumentuar se Selenica nuk përbën një barrë për buxhetin e shtetit dhe se bashkia renditet ndër njësitë vendore me performancë të lartë institucionale.
Një tjetër pikë e fortë e kundërshtimit lidhet me diferencat mes zonave të Labërisë dhe zonave të Vlorës. Këshilltarët kanë ngritur pyetjen se pse banorët e fshatrave të Labërisë duhet të përballen me të njëjtat taksa si banorët e zonave më të zhvilluara dhe më të lakmuara të Vlorës.
Këshilli Bashkiak u ka bërë gjithashtu thirrje deputetëve të zgjedhur në zonën e Labërisë që të votojnë kundër shkrirjes së Selenicës dhe bashkimit me Vlorën.
Kundër bashkimit janë shprehur edhe kryepleqtë e fshatrave të Bashkisë Selenicë, të cilët kanë paralajmëruar se kundërshtimi dhe protestat do të vijojnë.
Dhe pikërisht në këtë klimë përplasjesh rreth hartës së re territoriale, Rama shfaqet në festën e Vajzës, në territorin e bashkisë që drejtohet nga Bellaj.
Një takim festiv, por që vjen në një moment politik jo fort të zakonshëm: nga njëra anë, qeveria po diskuton një reformë që mund të sjellë shkrirjen e Selenicës; nga ana tjetër, drejtuesit vendorë të saj kanë dalë hapur kundër këtij propozimi.
Mbetet për t’u parë nëse festa e Vajzës do të mbetet thjesht një takim mes banorëve dhe drejtuesve politikë, apo nëse pas saj do të ketë edhe ndonjë mesazh për fatin e Bashkisë Selenicë.


