Kryetari i Bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj, ka kundërshtuar propozimin për shkrirjen e Bashkisë Selenicë dhe bashkimin e saj me Bashkinë Vlorë, në kuadër të diskutimeve për Reformën Territoriale.
Bellaj mori pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga Këshilli Bashkiak, ku u diskutua drafti i reformës. Sipas tij, propozimi për shkrirjen e Bashkisë Selenicë ishte bërë i ditur vetëm pas publikimit të draftit në media.
Kryebashkiaku e konsideroi të padrejtë një vendim të tillë, duke argumentuar se Selenica nuk përbën barrë për buxhetin e shtetit dhe se renditet ndër bashkitë me nivel të lartë të performancës institucionale.
Edhe këshilltarët bashkiakë, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, u shprehën kundër shkrirjes. Ata theksuan se një vendim i tillë do të dëmtonte përfaqësimin dhe interesat e banorëve të zonës.
Gjatë mbledhjes u ngritën gjithashtu shqetësime lidhur me diferencat mes zonave malore të Labërisë dhe zonave të tjera të Vlorës. Këshilltarët vunë në diskutim edhe faktin që banorët e fshatrave malore paguajnë të njëjtat tarifa si banorët e zonave më të zhvilluara dhe të lakmuara të qytetit të Vlorës.
Në përfundim, këshilltarët u kanë bërë thirrje deputetëve të zgjedhur në zonën e Labërisë që të kundërshtojnë në Kuvend shkrirjen e Bashkisë Selenicë dhe bashkimin e saj me Vlorën.


