Një situatë tejet shqetësuese është denoncuar në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, ku kafshët po përballen me temperaturat e larta pa kushtet e nevojshme për t’u mbrojtur nga i nxehti.
Në një ditë ku temperaturat kanë arritur deri në 38°C, arinjtë, luani, ujqërit, por edhe kafshë të tjera si lopët dhe kuajt, shihen të rraskapitura, duke kërkuar çdo cep hijeje për t’u mbrojtur nga dielli përvëlues.
Sipas pamjeve që po qarkullojnë në media, uji i vendosur për kafshët duket i pamjaftueshëm, ndërsa gjendja e tij ngre pikëpyetje serioze mbi higjienën dhe kujdesin që u ofrohet.

Por shqetësimi nuk ndalet këtu. Në pamje dallohet të paktën një ujk me plagë të dukshme në trup, ndërsa mbetet e paqartë nëse kafsha po merr trajtimin e nevojshëm veterinar.

“Kafshët nuk mund të tregojnë se kanë etje, se po vuajnë nga nxehtësia apo se kanë dhimbje. Nuk mund të largohen nga aty, nuk mund të kërkojnë ndihmë”, shprehet denoncuesi.
Kopshti Zoologjik i Tiranës vizitohet çdo ditë nga qytetarë dhe turistë, por pas hekurave duket një realitet krejt tjetër. Këto kafshë nuk janë objekte ekspozimi, por qenie të gjalla që varen tërësisht nga njerëzit për ushqimin, ujin, kujdesin dhe trajtimin veterinar.
Në këto kushte, lindin pyetje serioze: A po u sigurohet kafshëve ujë i mjaftueshëm dhe i pastër? A kanë të gjitha kafshët akses në hije dhe ambiente të përshtatshme gjatë temperaturave ekstreme? A po trajtohen kafshët e dëmtuara apo të sëmura?

Situata kërkon kontroll urgjent dhe transparencë nga institucionet përgjegjëse, për të verifikuar kushtet në të cilat mbahen kafshët dhe nëse po përmbushen standardet e mirëqenies së tyre.


