Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka evidentuar një sërë shkeljesh dhe mangësish në disa projekte të lidhura me artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore, nën përgjegjësinë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Table Of Content
Sipas gjetjeve të KLSH-së, problematikat përfshijnë nisjen e punimeve pa leje ndërtimi, pagesa të kryera përpara pajisjes me leje, ndryshime të projekteve dhe preventivëve pa miratimet e nevojshme, si dhe mangësi në mbikëqyrjen dhe dokumentimin e punimeve.
Në fokus të auditimit, të kryer në prill 2026, kanë qenë disa projekte dhe kontrata të rëndësishme.
Punime pa leje te Mozaiku i Tiranës
Në projektin për ndërhyrjet restauruese në Mozaikun e Tiranës dhe ndërtimin e godinës, KLSH ka konstatuar se punimet kanë nisur pa u pajisur me lejen përkatëse të ndërtimit.
Raporti evidenton gjithashtu mospërputhje ndërmjet projektit arkitekturor, atij konstruktiv dhe situatës faktike në terren, si dhe mangësi në dokumentacionin teknik dhe analizën e çmimeve.
Sipas KLSH-së, janë konstatuar edhe ndryshime të paargumentuara të projektpreventivit dhe mungesë e miratimeve të nevojshme për ndërhyrjet në pasuritë kulturore.
Universiteti i Arteve, ndryshime pas kryerjes së punimeve
Problematika janë konstatuar edhe në kontratën për restaurimin, rikonstruksionin dhe rinovimin e sallës së koncerteve në Universitetin e Arteve në Tiranë.
Sipas auditimit, ndryshime në projekt-preventiv janë kryer pasi punimet ishin realizuar në terren, pa marrë të gjitha miratimet e detyrueshme nga organet kompetente.
KLSH ka evidentuar gjithashtu mospërputhje ndërmjet specifikimeve teknike të projektit dhe punimeve të realizuara, përfshirë ndryshime dimensionale dhe heqje të disa zërave me ndikim financiar.
Galeria e Arteve, punime dhe pagesa pa leje
Një tjetër rast i evidentuar nga KLSH lidhet me projektin për restaurimin, rikonstruksionin dhe rehabilitimin e hapësirave në Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura, Galeria e Arteve.
Sipas raportit, punimet kanë nisur dhe kanë vijuar pa një leje të vlefshme ndërtimi. Po ashtu, janë kryer pagesa përpara pajisjes me lejen përkatëse.
KLSH ka konstatuar edhe amendime të pajustifikuara të afateve të kontratës, mangësi në mbikëqyrjen dhe raportimin e punimeve, si dhe miratimin formal të ndryshimeve pasi ato ishin realizuar në terren.
Tre objekte me problematika të konstatuara
Në total, gjetjet e auditimit lidhen me tre projekte kryesore: Mozaikun e Tiranës, sallën e koncerteve në Universitetin e Arteve dhe Galerinë e Arteve.
Në dy prej tyre, KLSH ka konstatuar problematika të drejtpërdrejta lidhur me lejet e ndërtimit. Në Mozaik punimet kanë nisur pa leje, ndërsa në Galerinë e Arteve punimet kanë vijuar pa leje të vlefshme dhe janë kryer pagesa përpara pajisjes me të.
Në Universitetin e Arteve, problematikat lidhen kryesisht me ndryshimet e projektit dhe preventivit pas realizimit të punimeve dhe mungesën e miratimeve të nevojshme.
KLSH kritika edhe për administrimin e artit dhe kulturës
Auditimi nuk është kufizuar vetëm te projektet ndërtimore. KLSH ka evidentuar mangësi edhe në mënyrën e ndjekjes dhe zbatimit të politikave në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
Sipas raportit, Ministria nuk ka zbatuar në mënyrë efektive të gjitha objektivat dhe masat e parashikuara në dokumentin strategjik për zhvillimin e artit dhe kulturës.
KLSH konstaton gjithashtu se nuk është siguruar një mekanizëm i dedikuar për monitorimin dhe raportimin e zbatimit të strategjisë, ndërsa pas përfundimit të periudhës së mëparshme nuk rezulton të jetë miratuar një strategji e re sektoriale.
Raporti evidenton edhe mungesë të akteve nënligjore dhe rregullave të brendshme për procedurat e financimit, ndarjen e përgjegjësive, kontrollin dhe administrimin e dokumentacionit.
Gjetjet e KLSH-së ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si janë administruar fondet publike dhe janë mbikëqyrur projektet në disa prej objekteve më të rëndësishme të artit dhe kulturës në vend.


