Nga 3 shtatori 2026, Shqipëria do të ndërpresë importin e mishit të gjedhit dhe shpendëve nga Brazili, pas ndryshimeve të miratuara në nivel të Bashkimit Evropian.
Ministria e Bujqësisë ka njoftuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) për masat që duhet të ndërmerren dhe i ka kërkuar këtij institucioni të informojë operatorët ekonomikë që importojnë produkte të mishit nga Brazili.
Sipas shkresës së Ministrisë, vendimi lidhet me ndryshimet e sjella përmes Rregullores Zbatuese të Komisionit Evropian të vitit 2026. Për sa kohë që urdhri shqiptar për importin e produkteve me origjinë shtazore e kushtëzon importin me miratimin nga BE-ja të zonave dhe stabilimenteve të prodhimit, këto ndryshime reflektohen drejtpërdrejt edhe në zbatimin e tij në Shqipëri.
Ministria i kërkon AKU-së të marrë masat e nevojshme për njoftimin e bizneseve që importojnë mish gjedhi dhe mish shpendësh nga Brazili, ndërsa zbatimi i masave nis më 3 shtator.
Brazili ka qenë prej vitesh një prej furnizuesve kryesorë të tregut shqiptar me mish viçi, derri dhe pule, ndërsa produktet e importuara nga ky shtet kanë pasur një rol të rëndësishëm edhe në industrinë e përpunimit të mishit.
Sipas të dhënave të WITS të Bankës Botërore, gjatë vitit 2024 Shqipëria importoi nga Brazili rreth 28.5 milionë dollarë produkte mishi dhe të brendshme. Rreth 10.1 milionë dollarë e kësaj vlere i përkisnin mishit dhe produkteve të kategorisë së shpendëve.
Ndërprerja e importit pritet të sjellë nevojën për gjetjen e tregjeve të reja të furnizimit, me një vëmendje të shtuar jo vetëm te çmimi dhe sasia, por edhe te standardet e sigurisë ushqimore.


