Një lajm i trishtë ka tronditur familjen Cura dhe komunitetin sportiv në Fier. Noel Cura, vetëm 15 vjeç, talent i ri i futbollit dhe pjesë e Akademisë Apolonia, ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Noeli ishte diagnostikuar në janar të vitit 2025 me një tumor agresiv në kokë dhe kishte nevojë për trajtim të specializuar jashtë vendit. Pas apelit për ndihmë, mijëra shqiptarë u bashkuan për t’i ardhur në ndihmë familjes, duke mundësuar sigurimin e fondeve për trajtimin e tij.
Pavarësisht përpjekjeve dhe trajtimeve të kryera, gjendja shëndetësore e 15-vjeçarit u përkeqësua, duke bërë që ai të ndahej nga jeta.
Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur babai i tij, avokati Artan Cura, i cili përmes një postimi ka shprehur dhimbjen për humbjen e të birit.
“Me hidhërim të thellë e me dhimbje të madhe ju njoftojmë se sot u nda nga jeta djali jonë i shtrenjtë Noel Cura. I paharruar qofsh, biri im”, shkroi ai.
Noel Cura do të kujtohet nga familjarët, miqtë dhe bashkëlojtarët si një djalë i dashur dhe pasionant pas futbollit, i cili pavarësisht moshës së vogël u përball për një kohë të gjatë me një betejë të vështirë.
Humbja e tij ka shkaktuar dhimbje të madhe në Fier dhe në komunitetin e futbollit, ndërsa familja përballet me një nga momentet më të vështira.


