Një ndërtim pa leje në Qeparo ka sjellë sërish në vëmendje Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Himarë.
Bëhet fjalë për një objekt 5-katësh, me një kat nën tokë, i cili dyshohet se po ndërtohej pa lejen përkatëse në zonën e quajtur “Sugë”, në Qeparo.
Policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar në flagrancë pronarin e objektit, L. B., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Por çështja nuk përfundon te pronari i objektit.
Sipas të dhënave të bëra publike, 6 punonjës të IMT Himarë, drejtues dhe inspektorë, janë shkarkuar, ndërsa dosja është referuar në Prokurori dhe ndaj tyre ka nisur hetimi për të zbardhur përgjegjësitë lidhur me lejimin ose mosndalimin e ndërtimit.
Ndërkohë, policia ka bërë me dije se 3 prej punonjësve të IMT-së janë shpallur në kërkim, konkretisht kryeinspektori D. H., 46 vjeç, dhe inspektorët M. K., 31 vjeç, dhe A. H., 42 vjeç, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”.
Rasti ngre pikëpyetje të forta: Si mund të ndërtohet një objekt me disa kate në një nga zonat turistike të Himarës pa u ndaluar në kohë nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e territorit?
Nëse një ndërtim i tillë ka vijuar deri në disa kate pa leje, hetimi tashmë duhet të zbardhë se kush kishte dijeni për ndërtimin, kush duhej ta kontrollonte dhe nëse ka pasur neglizhencë apo shkelje detyre nga punonjësit përgjegjës.
Bashkia Himarë dhe strukturat përkatëse kanë marrë masa ndaj punonjësve të IMT-së, ndërsa policia vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila pritet të përcaktojë përgjegjësitë e secilit person të përfshirë në këtë çështje.
Një tjetër rast ndërtimi pa leje në Himarë, ndërsa pikëpyetja kryesore mbetet: si arriti objekti deri në disa kate pa u ndaluar?


