Një 31-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia në Kavajë, pasi dyshohet se tentoi të vriste me armë zjarri një 38-vjeçar pas një konflikti mes tyre.
Ngjarja u parandalua pas ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë dhe Postës së Policisë Rrogozhinë, të cilat morën informacion për një konflikt që po ndodhte në zonën e Spillesë.
Gjatë ndërhyrjes, efektivët arrestuan 31-vjeçarin N.H, i cili dyshohet se kishte tentuar të qëllonte për të vrarë 38-vjeçarin I.R. Në momentin e arrestimit, 31-vjeçari ishte i pajisur me një armë zjarri tip kallashnikov, e cila u sekuestrua si provë materiale, së bashku me municionin luftarak.
Ndërkohë, edhe 38-vjeçari është proceduar penalisht, pasi dyshohet se gjatë konfliktit ka goditur me grushte 31-vjeçarin, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


