Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 32-vjeçaren turke Julide Yazici, e cila u arrestua në Shqipëri pasi rezultonte e kërkuar nga autoritetet turke për akuza që lidhen me pjesëmarrje dhe mbështetje të një organizate terroriste.
Sipas dosjes, Yazici dyshohet se ka qenë e përfshirë në protestat për të drejtat e kurdëve të zhvilluara disa vite më parë në Turqi. Autoritetet turke pretendojnë se gjatë hetimeve janë siguruar prova që e lidhin atë me aktivitetet e organizatës, përfshirë gjurmë papilare të gjetura në një automjet të përdorur gjatë demonstratave.
Për këto akuza, 32-vjeçarja është dënuar në mungesë me katër vite burg nga drejtësia turke. Ndërkohë, ajo ka përfituar më herët azil politik në Francë.
Gjatë seancës gjyqësore në Shqipëri, Yazici deklaroi se është e persekutuar politikisht për shkak të pjesëmarrjes në protesta kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe se, në rast ekstradimi, jeta e saj do të ishte në rrezik.
Edhe mbrojtja ligjore ngriti të njëjtin pretendim, ndërsa avokati i saj bëri me dije se do të informohen autoritetet franceze, duke qenë se klientja e tij gëzon status mbrojtjeje politike në Francë.
Prokuroria kërkoi masën “arrest me burg”, duke argumentuar se procedurat lidhen me kërkesën për ekstradim dhe legjislacionin në fuqi. Çështja pritet të vijojë me shqyrtimin e procedurave për ekstradimin e saj.


