Policia e Vlorës ka zbardhur autorësinë e djegies së një apartamenti në lagjen “Lef Sallata”, një ngjarje që fillimisht u dyshua si aksidentale. Pas hetimeve, në pranga është vënë një 33-vjeçar, i dyshuar si autor i zjarrvënies.
Sipas Policisë, i arrestuari me inicialet B. H. dyshohet se në orët e para të mëngjesit i ka vënë zjarrin derës së një apartamenti ku në atë moment ndodheshin vëlla e motër. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk pati të lënduar, por u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.
Nga hetimet paraprake rezulton se motivi i zjarrvënies lidhet me konkurrencën në biznes, pasi autori dhe pronarët e apartamentit ushtronin të njëjtën veprimtari ekonomike, atë të dhënies së apartamenteve me qira në qytetin e Vlorës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:40 të datës 4 gusht 2026, ndërsa specialistët e Hetimit të Krimeve, në bashkëpunim me Prokurorinë, arritën të identifikojnë dhe arrestojnë autorin e dyshuar brenda 48 orëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.


