Situata e zjarreve në vend mbetet shqetësuese, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 30 vatra zjarri, nga të cilat 8 vijojnë të jenë aktive.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, operacionet për shuarjen e flakëve po koordinohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me prefekturat, pushtetin vendor dhe Forcat e Armatosura. Në terren janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse, 502 forca operacionale, 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Në zonën e Dajtit vijon puna për izolimin e flakëve, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara. Operacione po zhvillohen edhe në Priskë dhe Çakallesh, ku situata mbetet nën monitorim.
Në Mallakastër, ekipet vijojnë ndërhyrjen në vatrat e zjarrit në Riban, Ngraçan dhe Panahor, ku terreni i vështirë po e bën më të ndërlikuar operacionin. Megjithatë, deri më tani nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërkohë, në qarkun e Elbasanit po punohet për shuarjen e zjarreve në Shqiponjë, Malin e Dardhës dhe Mjekës. Zjarri në Shqiponjë është vendosur nën kontroll, ndërsa vatra në Malin e Dardhës është izoluar.
Në Kostren 2, në bashkinë Berat, forcat zjarrfikëse vijojnë punën për shuarjen e një vatre të riaktivizuar, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri për të parandaluar përhapjen e flakëve.


