Një aksident i trefishtë është regjistruar mesditën e kësaj të mërkure në rrugën nacionale Sarandë–Ksamil, pranë zonës së njohur si Manastiri, ku tre automjete janë përfshirë në një përplasje.
Si pasojë e aksidentit, kanë mbetur të plagosur dy turistë spanjollë, të cilët ndodheshin në Sarandë për pushime. Menjëherë në vendngjarje mbërritën ambulanca dhe shërbimet e Policisë, të cilat u dhanë ndihmën e parë të lënduarve dhe nisën hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Të plagosurit janë identifikuar si Jove Pibrall Jove, 24 vjeç, dhe Catia Picac, 37 vjeçe, të dy shtetas spanjollë.
Sipas mjekëve, 24-vjeçari ka pësuar dëmtime në pjesën e mesit dhe, për shkak të gjendjes së tij, është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Ndërkohë, 37-vjeçarja ka marrë dëmtime në kokë dhe po trajtohet në Spitalin e Sarandës.
Shkaqet e aksidentit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar dinamikën e plotë të përplasjes.


