SHBA ka një ambasador të ri të konfirmuar për Shqipërinë. Senati amerikan miratoi këtë të mërkurë emërimin e Eric P. Wendt si ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Sipas rezultatit zyrtar të votimit në Senatin amerikan, kandidatura e Wendt u miratua me 50 vota pro dhe 44 kundër, duke përmbyllur procesin parlamentar për emërimin e tij në këtë detyrë.
Pas këtij miratimi, mbetet vetëm hapi formal i nënshkrimit nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili do të finalizojë zyrtarisht emërimin e Wendt si ambasador në Shqipëri.
Eric P. Wendt ka një karrierë të gjatë ushtarake dhe të sigurisë. Ai shërben në Ushtrinë Amerikane që prej vitit 1986, ndërsa që nga viti 1991 është pjesë e forcave speciale elitare “Green Beret”.
Gjatë karrierës së tij ka marrë pjesë në misione të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë operacionet në Afganistan, Irak, Filipine dhe Indonezi, si dhe ka mbajtur poste të larta drejtuese në strukturat e mbrojtjes amerikane.
Në vitin 2017 ai u emërua Koordinator i Sigurisë i SHBA-së për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, duke luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e çështjeve të sigurisë në rajon.
Wendt zotëron gjuhën arabe dhe koreane dhe është dekoruar me një sërë medaljesh dhe vlerësimesh ushtarake ndërkombëtare për kontributin e tij në operacionet e sigurisë.
Emërimi i tij vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, dy vende që vijojnë bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe partneritetit strategjik në kuadër të NATO-s.


