Deputeti dhe kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, është përjashtuar me 60 ditë nga punimet e Kuvendit, pas incidentit të ndodhur gjatë seancës së djeshme, ku ai mori me vete jashtë sallës një kopje të marrëveshjes konfidenciale Shqipëri-SHBA për huanë prej 302 milionë dollarësh për blerjen e pajisjeve ushtarake.
Vendimi është marrë nga Sekretariati i Etikës, pas kërkesës së Partisë Socialiste. Sipas socialistëve, deputetët ishin informuar se dokumenti përmbante të dhëna konfidenciale dhe se duhej të lexohej vetëm në ambientet e përcaktuara nga Kuvendi.
Sipas argumentimit të shumicës, Shehaj e ka nxjerrë dokumentin nga salla ku deputetët ishin lejuar të njiheshin me përmbajtjen e tij, ndërsa një punonjëse e Kuvendit është përpjekur ta ndiqte për të marrë dokumentin.
Masa e përjashtimit nuk do të zbatohet menjëherë, pasi sesioni parlamentar ka përfunduar. Përjashtimi prej 60 ditësh pritet të hyjë në fuqi në muajin shtator, me nisjen e punimeve të legjislaturës së re.
Sekretariati i Etikës nuk ka marrë vendim për kërkesën e socialistëve për referimin e çështjes në SPAK. Deputeti socialist Ulsi Manja deklaroi se çështjet që lidhen me elementë të mundshëm penalë nuk janë në kompetencën e këtij sekretariati.
Sipas Manjës, Partia Socialiste do të depozitojë kallëzim në SPAK për të hetuar rrethanat e incidentit, përfshirë dyshimet për shkelje të rregullave mbi informacionin konfidencial dhe veprimet e kryera pas nxjerrjes së dokumentit nga ambienti ku duhej të shqyrtohej.
Incidenti ka shkaktuar debate të forta politike, në një kohë kur marrëveshja e huasë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara ka sjellë përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës, si brenda Kuvendit, ashtu edhe jashtë tij.


