Forcat RENEA kanë rrethuar një zonë në Roskovec, ku dyshohet se fshihet 35-vjeçari Nertil Buzi, i dyshuar për vrasjen e ish-vjehrrit të tij dhe plagosjen e ish-vjehrrës në fshatin Vidhisht.
Pas ngjarjes së rëndë, 35-vjeçari dyshohet se është larguar nga vendi i krimit së bashku me ish-të fejuarën, të cilën e kishte marrë me forcë. Më pas, pas ndërhyrjes së policisë në zonë, ai dyshohet se e ka lënë të lirë të renë dhe është larguar i vetëm.
Policia ka ngritur një operacion të gjerë për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa në kërkim janë angazhuar edhe forcat speciale RENEA.
Sipas informacioneve paraprake, 35-vjeçari dyshohet se fshihet në një prej fshatrave të zonës. Forcat e policisë kanë rrethuar territorin dhe po kryejnë kontrolle intensive për gjetjen e tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku 35-vjeçari dyshohet se qëlloi me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit të tij, i cili humbi jetën, ndërsa ish-vjehrra mbeti e plagosur.
Operacioni për kapjen e 35-vjeçarit vijon, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


