Një ngjarje shqetësuese, e bërë publike fillimisht nga mediat izraelite, ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë në një hotel në Vlorë dhe mënyrën se si është menaxhuar emergjenca nga stafi dhe shërbimet përkatëse.
Sipas raportimeve, disa turistë izraelitë që po qëndronin në Hotel Vlora Priam kanë përfunduar në spital rreth dy javë më parë, pasi shfaqën simptoma të rënda si dridhje të trupit, të vjella, marramendje, humbje ndjenjash dhe pamundësi për të lëvizur.
Një prej tyre, Racheli nga Kfar Saba, tregoi për median izraelite Mako se gjithçka nisi gjatë natës, kur vajza e saj e vogël u ankua se nuk mund të lëvizte këmbët.
“Shkova ta kontrolloja dhe brenda pak minutash fillova të ndieja dhimbje të forta në të gjithë trupin, të vjella dhe një ndjesi të çuditshme. Edhe motra ime, që erdhi të më ndihmonte, nisi të dridhej. Më pas arritëm në një pikë ku nuk mund të ecnim më. Kishim dridhje të forta, mjegullim të vetëdijes dhe nuk ishim në gjendje të kontrollonim trupin,” rrëfen ajo.
Familjarët njoftuan recepsionin dhe kërkuan ndihmë mjekësore. Sipas Rachelit, djali i saj i gjeti të gjithë të shtrirë në dysheme, ndërsa jashtë hotelit kishte ambulanca dhe turistë të tjerë që kërkonin ndihmë.
Ajo pretendon se ndërhyrja e parë ishte e pamjaftueshme.
“ Erdhën infermierët, na bënë disa injeksione dhe serum, na thanë se pas 15 minutash do të ndiheshim më mirë dhe u larguan, duke na lënë vetëm në atë gjendje. Nuk na transportuan menjëherë në spital,” shprehet ajo.
Vetëm pasi gjendja u përkeqësua, turistët u dërguan në spital. Racheli pretendon se as aty nuk iu kryen menjëherë kontrollet bazë dhe se familja u përball me vështirësi edhe gjatë trajtimit.
Në spital, ata takuan edhe turistë të tjerë nga i njëjti hotel, të cilët shfaqnin simptoma të ngjashme, si dhimbje koke, të vjella, marramendje dhe konfuzion.
Sipas dëshmisë së saj, fillimisht mjekët dhanë diagnoza të ndryshme, duke përfshirë virus apo atak paniku. Megjithatë, turistët dyshojnë se shkaku mund të ketë qenë një rrjedhje gazi nga sistemi i kondicionimit. Racheli thotë se një turist tjetër, i dërguar në një spital tjetër, ishte informuar se simptomat lidhen me thithjen e një gazi të çliruar nga kondicioneri, pasi në dhomë ishte ndjerë edhe një erë e fortë përpara se ai të humbiste ndjenjat.
Pas daljes nga spitali, familja u kthye në hotel vetëm për të marrë sendet personale. Sipas saj, askush nga stafi drejtues nuk u interesua për gjendjen e tyre.
“Askush nuk na pyeti si ishim apo nëse kishim nevojë për ndihmë. U ndjemë të braktisur dhe kishim përshtypjen se po përpiqeshin ta kalonin ngjarjen sikur të mos kishte ndodhur,” deklaroi ajo.
Ngjarja ka marrë jehonë në mediat izraelite, të cilat kanë kritikuar mënyrën e menaxhimit të situatës. Deri tani nuk ka një reagim publik nga hoteli apo autoritetet shqiptare lidhur me pretendimet e turistëve dhe shkakun zyrtar të incidentit.
Shënim: Pretendimet e mësipërme bazohen në dëshmitë e turistëve të publikuara nga mediat izraelite. Shkaku i saktë i incidentit mbetet për t’u konfirmuar nga autoritetet përkatëse.


