Pas rreth katër orësh negociata me forcat RENEA dhe Policinë, 35-vjeçari Nertil Buzi, i dyshuar për vrasjen e ish-vjehrrit dhe plagosjen e ish-vjehrrës në Roskovec, i ka dhënë fund jetës.
Në banesën e familjes së ish-të fejuarës, 35-vjeçari dyshohet se kreu krimin e rëndë, mori me forcë të renë dhe u largua me një automjet. Policia arriti të lokalizojë mjetin dhe rrethoi zonën, ndërsa nisi negociatat për bindjen e tij .
Ish-të fejuarën e tij, autori e la të lirë pas ndërhyrjes së policisë dhe negociatat vijuan edhe për disa orë me qëllim dorëzimin e tij dhe shmangien e përshkallëzimit të situatës.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të forcave të rendit, 35-vjeçari nuk pranoi të dorëzohej. Rreth orës 16:35, ai dyshohet se ka qëlluar veten me armën e gjahut që mbante me vete, ndërsa ndodhej brenda automjetit.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet mjekësore dhe ambulanca, por 35-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.
Nga sulmi i armatosur i ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Vidhisht të Roskovecit, humbi jetën në vend 55-vjeçari Arben Plaka, ish-vjehrri i autorit të dyshuar, ndërsa ish-vjehrra e tij mbeti e plagosur dhe ndodhet në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Policia e Fierit konfirmoi zyrtarisht se 35-vjeçari është vetëvrarë gjatë negociatave të zhvilluara nga ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorit.
Grupi hetimor vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.


