Një punonjës i OSHEE-së ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, gjatë një ndërhyrjeje për riparimin e një defekti në rrjetin elektrik në zonën e Himarës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, pasi moti i keq dhe erërat e forta shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të Himarës. Viktima, 54 vjeç dhe banues në Elbasan, ishte dërguar për të ndihmuar ekipet lokale në rikthimin e furnizimit me energji.
Sipas të dhënave paraprake, 54-vjeçari po punonte në një shtyllë elektrike në zonën e Potamit, teksa tentonte të rilidhte një kabllo energjie. Dyshohet se rripi i sigurisë që e mbante të lidhur është shkëputur, duke bërë që ai të rrëzohej nga një lartësi prej rreth 9 metrash.
Punonjësi është dërguar pa shenja jete në Qendrën Shëndetësore Himarë. Policia njofton se grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit. Paraprakisht, po hetohet edhe mundësia që ai të jetë goditur nga rryma elektrike, ndërsa ekspertiza teknike pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.


