Një stuhi e fuqishme ka përfshirë mbrëmjen e së martës Shqipërinë dhe vendet fqinje, duke sjellë erëra të forta, reshje shiu dhe shkarkesa elektrike. Situata më problematike është raportuar në Vlorë dhe Sarandë, ndërsa dëme materiale janë shënuar edhe në Kosovë.
Në Vlorë, era e fortë përfshiu zonën e Lungomares, ku qytetarë dhe pushues u larguan me shpejtësi nga bregdeti për shkak të rrezikut nga rrëzimi i pemëve dhe objekteve të ndryshme. Bizneset përgjatë shëtitores u detyruan të mblidhnin çadrat dhe karriget, pasi kushtet e motit vështirësuan aktivitetin normal.
Reshje shiu, erëra me intensitet mesatar dhe shkarkesa elektrike u regjistruan edhe në qarkun e Kukësit, duke i dhënë fund valës së të nxehtit.
Gjatë natës, stuhia preku edhe Sarandën. Brenda pak minutash, rrëzimi i pemëve shkaktoi bllokimin e disa rrugëve dhe dëme në biznese përgjatë shëtitores. Në rrugën përballë stadiumit, një pishë u rrëzua mbi tri automjete, duke i dëmtuar ato.

Tre persona kanë kërkuar ndihmë në urgjencën e qytetit pasi janë plagosur nga thyerja e xhamave si pasojë e stuhisë. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, ata janë larguar drejt banesave të tyre.
Ndërkohë, në terren ndodhen punonjësit e shërbimeve bashkiake, të cilët po monitorojnë situatën dhe po punojnë për pastrimin e rrugëve dhe sistemimin e dëmeve.
Stuhia ka përfshirë edhe Kosovën, ku janë raportuar dëme materiale në disa komuna. Ndër zonat më të prekura janë fshatrat e komunës së Suharekës, përfshirë Vraniqin, ku erërat e forta kanë dëmtuar banesa, biznese dhe sektorin e bujqësisë. Probleme nga moti i keq janë raportuar edhe në Maqedoninë e Veriut.


