Një atentat me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e kësaj të hëne lagjen “Vullnetari” në Elbasan, ku tre të rinj kanë mbetur të plagosur pas të shtënave në drejtim të tyre.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në verandën e një lokali, ku një person ende i paidentifikuar ka qëlluar rreth gjashtë herë me armë zjarri tip pistoletë në drejtim të tre të rinjve dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Të plagosur kanë mbetur A.T, 32 vjeç, R.M, 31 vjeç dhe B.H, 19 vjeç. Sipas Policisë, të tre ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Njëri prej tyre ka marrë plagë nga arma e zjarrit, ndërsa dy të tjerët kanë pësuar lëndime më të lehta, njëri i gërvishtur në këmbë dhe tjetri në krah.
Gjatë arratisjes, autori ka hedhur armën e zjarrit, e cila është sekuestruar nga grupi hetimor si provë materiale. Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të atentatit.


