Një ngjarje e rëndë ka tronditur Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, ku tre shtetas nga Vushtrria, të cilët rezultonin të zhdukur që prej mbrëmjes së së shtunës, janë gjetur të pajetë.
Viktimat janë identifikuar si Ejup Ternava, Cennet Ternava dhe Fatmire Shabani, të cilët ishin nisur nga Aeroporti i Shkupit drejt Kosovës. Pas largimit nga aeroporti, familjarët humbën çdo kontakt me ta dhe denoncuan zhdukjen pranë autoriteteve.
Pas kërkimeve intensive, automjeti me të cilin udhëtonin, një Mercedes GLC me targa gjermane, u lokalizua i fundosur në lumin Lepenc. Pas nxjerrjes së mjetit nga uji, autoritetet konfirmuan se brenda tij ndodheshin trupat e pajetë të tre personave.
Rrethanat se si automjeti përfundoi në lumë mbeten ende të paqarta. Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e kësaj tragjedie.


