Policia e Vlorës ka finalizuar tre operacione të ndryshme gjatë 24 orëve të fundit, duke goditur raste të armëmbajtjes pa leje, vjedhjes me dhunë dhe transportimit të paligjshëm të personave drejt Greqisë. Si rezultat janë arrestuar tre persona, ndërsa janë sekuestruar një armë zjarri, një thikë dhe një automjet.
Në kuadër të operacionit të koduar “Pasagjeri”, shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, arrestuan në flagrancë shtetasin D. M., 26 vjeç, banues në Babrru, Tiranë. Ai u kap gjatë kontrollit të një taksie me të cilën udhëtonte, ku iu gjet një pistoletë me krehër dhe fishekë, të cilën e mbante pa leje.
Në një tjetër operacion, të koduar “Thirrja”, u arrestua H. Z., 31 vjeç, banues në fshatin Vanë. Ai dyshohet se kishte dhunuar një punonjës të OSHEE-së dhe i kishte vjedhur automjetin e kompanisë. Mjeti u gjet dhe iu rikthye subjektit, ndërsa gjatë kontrollit fizik policia i sekuestroi edhe një thikë.
Ndërkohë, Policia Kufitare e Sarandës finalizoi operacionin “Barriera”, ku u arrestua M. Q., 30 vjeç, banues në Belsh. Sipas hetimeve, ai po transportonte me një automjet tip “Volkswagen” pesë shtetas, katër nga Shqipëria dhe një nga Kosova, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Greqisë, për shkak të kufizimeve për lëvizjen në zonën Schengen.
Materialet procedurale janë referuar në prokuroritë përkatëse për vijimin e hetimeve.


