Tensione janë regjistruar paraditen e kësaj të hëne para Kuvendit të Shqipërisë, ku protestuesit janë mbledhur përpara zhvillimit të seancës plenare të parashikuar në orën 12:00.
Dhjetëra qytetarë u pozicionuan fillimisht në hyrje të institucionit, duke brohoritur “Rama jep dorëheqjen” dhe “Parlament i krimit”, ndërsa mbanin në duar vezë me emrat e deputetëve. Sipas tyre, strategjia ishte t’ua dorëzonin vezët deputetëve, duke u kërkuar t’i thyenin ose jo vetë.
Për të shmangur përplasjet, Policia e Shtetit krijoi një kordon sigurie dhe bllokoi zonën përreth Kuvendit, duke mundësuar hyrjen e deputetëve në institucion. Disa prej tyre hynë nga dera e pasme, duke shmangur kontaktin me protestuesit.

Megjithatë, gjatë tensioneve janë goditur me vezë disa automjete që hynin në ambientet e Kuvendit, mes tyre një mjet i Gardës, si edhe automjetet e ministrave Blendi Çuçi dhe Mirela Kumbaro.
Në një moment, deputeti Blendi Çuçi reagoi me humor ndaj situatës, duke iu drejtuar një personi me batutën: “Paske shpëtuar pa shumë gërvishtje.”
Policia vijon të monitorojë situatën, ndërsa deri tani nuk raportohet për persona të lënduar apo të shoqëruar.


