Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka akuzuar Bashkinë e Sarandës për abuzime me fondet publike, duke iu referuar një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili sipas saj ka konstatuar një dëm ekonomik prej afro 1 milion eurosh gjatë një viti.
Në një deklaratë për mediat, Zhupa tha se raporti i KLSH evidenton një sërë shkeljesh financiare dhe procedurale në administrimin e fondeve publike.
Sipas saj, 630 mijë euro përbëjnë dëm ekonomik si pasojë e mosveprimit të bashkisë, 226 mijë euro lidhen me shkelje në procedurat e prokurimit publik, 101 mijë euro janë pagesa të kryera për punime të pakryera, ndërsa 117 mijë euro kanë të bëjnë me projekte artistike dhe kulturore që, sipas saj, nuk janë realizuar në përputhje me procedurat ligjore të prokurimit.
Deputetja demokrate deklaroi se Partia Demokratike do t’i referojë gjetjet e auditimit pranë organeve të drejtësisë, duke kërkuar hetim për përgjegjësit e mundshëm.


