Policia Kufitare e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur pranë ishullit të Sazanit , ku 11 emigrantë nga vendet e treta rrezikuan të mbyteshin gjatë një tentative për të kaluar me gomone drejt Italisë.
Pas hetimeve të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, është arrestuar në flagrancë M. E., 43 vjeç, shtetas afgan, i dyshuar si organizatori i transportimit të emigrantëve.
Sipas Policisë, 43-vjeçari kishte organizuar nga Greqia futjen e paligjshme në Shqipëri të 10 shtetasve të huaj, me synim dërgimin e tyre më pas drejt Italisë.
Hetimet kanë zbuluar se gomonen ai e kishte marrë në Seman, Fier, në vendin e treguar nga një shtetas shqiptar, identiteti i të cilit ende nuk është zbuluar. Policia vijon punën për identifikimin dhe arrestimin e tij.
Ndërkohë, janë proceduar penalisht edhe 10 emigrantët, shtetas të Bangladeshit, Pakistanit, Liberisë dhe Haitit, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Sipas hetimeve paraprake, organizatori afgan dhe bashkëpunëtori shqiptar dyshohet se kishin ngritur një skemë për kontrabandimin e emigrantëve nga Greqia, përmes Shqipërisë, me destinacion final Italinë.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.


