Europa po përballet me një valë të re të motit ekstrem, ku zjarret, thatësira dhe stuhitë e fuqishme kanë prekur disa vende, duke shkaktuar viktima, evakuime masive dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Në verilindje të Spanjës, rreth 1 mijë banorë janë detyruar të lënë banesat për shkak të zjarreve që kanë përfshirë zona të gjera. Mbi 30 mjete ajrore dhe qindra zjarrfikës janë angazhuar në operacionet për shuarjen e flakëve. Vetëm në rajonin e Aragonës, pranë Ores, zjarri ka djegur më shumë se 12 mijë hektarë tokë, ndërsa vatra aktive raportohen edhe pranë Madridit dhe në provincën Guadalajara.

Edhe Franca po përballet me pasojat e motit ekstrem. Temperaturat e larta dhe thatësira kanë ngritur shqetësime për funksionimin e një centrali bërthamor në jug të vendit, pasi ujërat e ngrohta të Mesdheut po vështirësojnë ftohjen e reaktorëve. Ndërkohë, pas valës së të nxehtit, stuhi të forta kanë goditur disa rajone franceze, duke shkaktuar vdekjen e dy personave dhe duke lënë mbi 53 mijë familje pa energji elektrike.
Në Gjermani, niveli i ulët i ujit në lumin Rin po ndikon në transportin lumor, duke krijuar vështirësi në lëvizjen e mallrave dhe duke rritur kostot e transportit.
Sipas Reuters, temperatura mesatare në Europë ka arritur në 27.5 gradë Celsius, rreth 4.2 gradë mbi mesataren sezonale. Shërbimi meteorologjik spanjoll paralajmëron se vala e të nxehtit do të rikthehet nga dita e diel, me temperatura që në disa zona pritet të arrijnë deri në 44 gradë Celsius.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se kontinenti mund të përballet me “disa javë vdekjeprurëse”, ndërsa ekspertët theksojnë se valët e fundit të të nxehtit kanë shkaktuar mijëra vdekje shtesë në mbarë Europën.
Autoritetet në vendet e prekura u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të respektojnë udhëzimet e emergjencës, ndërsa frika për përkeqësimin e situatës mbetet e lartë në ditët në vijim.


