Hetimet për atentatin ndaj Thimjo Rubatit, i cili u plagos me armë zjarri në Sarandë, janë përqendruar te identifikimi i autorëve dhe mënyra se si ata u larguan pas sulmit.
Sipas të dhënave paraprake, dy personat e dyshuar, të maskuar dhe me skafandra, pas të shtënave janë larguar me shpejtësi drejt zonës bregdetare në fund të rrugës “Mithat Hoxha”.
Grupi hetimor po verifikon pistën se autorët mund të kenë përdorur një skaf për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, duke shfrytëzuar detin si rrugë arratisjeje. Për këtë arsye, kontrollet janë shtrirë përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat përreth plazheve.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se një nga pistat që po shqyrtohet është edhe një lidhje e mundshme mes atentatit dhe dhunimit të oficerit të Policisë Mihal Velço, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në Sarandë. Kjo mbetet një pistë hetimore dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht.
50-vjeçari Thimjo Rubati u qëllua me breshëri plumbash pranë biznesit të tij. Fillimisht ai mori ndihmën e parë në spitalin e Sarandës, ku iu kryen transfuzione gjaku, ndërsa më pas u transportua drejt spitalit të Janinës, në Greqi, për trajtim më të specializuar.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.


