Muzika tradicionale shqiptare pritet të dëgjohet në një nga filmat më të shumëpritur të viteve të fundit, “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan.
Sipas raportimeve, kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, ka vizituar jugun e Shqipërisë për të regjistruar tinguj autentikë të iso-polifonisë shqiptare dhe fyellit të dyfishtë, me qëllim që t’i përfshijë si pjesë të kolonës zanore të filmit.
Përfshirja e këtyre elementëve përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për trashëgiminë muzikore shqiptare, duke e çuar atë në një produksion të madh ndërkombëtar. Tingujt karakteristikë të jugut të vendit pritet t’i japin filmit një atmosferë unike, të frymëzuar nga traditat shekullore të Shqipërisë.
Iso-polifonia shqiptare është pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit dhe mbrohet nga UNESCO, duke u konsideruar një nga format më të veçanta të këngës shumëzërëshe në botë.


