Qeveria ka plotësuar kuadrin ligjor që i hap rrugë funksionimit të basteve sportive online në Shqipëri, rreth 28 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit për lojërat e fatit.
Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), janë miratuar të gjitha aktet nënligjore të nevojshme për nisjen e procedurave të licencimit, megjithëse ende nuk është caktuar një datë për hapjen e garës.
Ligji parashikon dhënien e 10 licencave për operatorët që do të ofrojnë baste sportive online. Procedurat konkurruese do të organizohen nga AMLF dhe Komisioni i Licencave, ndërsa njoftimi për aplikimet do të publikohet në faqen zyrtare të institucionit, në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në dy gazeta ndërkombëtare.
Bastet vetëm online dhe me identifikim
Sipas rregullave të reja, bastet do të lejohen vetëm online, ndërsa përdoruesit do të duhet të identifikohen me kartë identiteti. Platformave u kërkohet të kenë sisteme që regjistrojnë çdo veprim të përdoruesve dhe algoritme të posaçme për llogaritjen e fitimeve.
Kushtet për kompanitë
Ligji vendos disa kritere për subjektet që kërkojnë licencë, mes tyre:
- Kapital minimal prej 40 milionë lekësh;
- Të paktën një aksionar me eksperiencë në industrinë e lojërave të fatit në minimumi 3 shtete të BE-së ose OECD-së, për të paktën 3 vite;
- Xhiro vjetore prej të paktën 2 miliardë lekësh nga aktiviteti në këtë sektor;
- Depozitim i një fondi garancie prej 120 milionë lekësh në favor të Ministrisë së Financave.
Rihapja e basteve sportive online vjen gati 7 vite pas mbylljes së pikave fizike të basteve në kuadër të aksionit “Fundi i Marrëzisë”, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2019.


