Me valët e të nxehtit që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, zgjedhja e veshjeve të duhura mund të ndikojë ndjeshëm në mënyrën se si trupi përballon temperaturat e larta.
Table Of Content
Sipas ekspertëve, modeli dhe materiali i rrobave janë më të rëndësishëm sesa vetë ngjyra. Edhe pse e bardha reflekton rrezet e diellit dhe mbetet zgjedhja më e zakonshme gjatë verës, veshjet e gjera janë më efektive për ftohjen e trupit, pasi lejojnë qarkullimin e ajrit dhe avullimin e djersës.
Materialet më të mira
Ekspertët rekomandojnë veshje të lehta dhe që “marrin frymë”, si:
- Liri
- Pambuk i hollë
- Mëndafsh
- Materiale sportive që largojnë lagështinë (moisture-wicking)
Këto ndihmojnë djersën të avullojë më shpejt, duke ulur temperaturën e trupit.
Çfarë duhet shmangur?
Veshjet e trasha, të ngushta ose prej materialeve që mbajnë nxehtësinë, si xhinsi i rëndë, mund ta bëjnë vapën edhe më të padurueshme.
Në zona me lagështi të lartë, materialet sintetike sportive që largojnë djersën mund të jenë më efektive se pambuku, pasi thahen më shpejt.
Ngjyra nuk është gjithçka
Një studim mbi veshjet tradicionale të beduinëve tregoi se veshjet e zeza dhe të gjera mund të jenë po aq efektive sa ato të bardha, pasi krijojnë një qarkullim ajri mes trupit dhe rrobës që ndihmon në largimin e nxehtësisë.
Megjithatë, nëse vishni rroba të ngushta, ekspertët këshillojnë të zgjidhni ngjyra të çelëta.
Një truk i thjeshtë për t’u freskuar
Specialistët sugjerojnë gjithashtu që një shall ose bluzë e lagur lehtë mund të ndihmojë në uljen e temperaturës së trupit. Avullimi i ujit largon nxehtësinë nga lëkura dhe krijon një efekt natyral ftohës.

Sipas studiuesve, kombinimi i veshjeve të gjera, materialeve që ajrosen mirë dhe hidratimit të vazhdueshëm është mënyra më efektive për të përballuar temperaturat ekstreme të verës.


