Tre persona kanë përfunduar në prangat e Policisë së Tiranës pas dy operacioneve të zhvilluara kundër armëmbajtjes pa leje dhe posedimit të armëve me qëllim shitjen.
Operacionet e koduara “Shenja” dhe “Kodra” çuan në sekuestrimin e tre armëve të zjarrit dhe qindra fishekëve, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve.
Në kuadër të operacionit “Shenja”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 4, ndaluan një automjet në Rrugën e Dibrës. Gjatë kontrollit u arrestuan Shendi Sata, 31 vjeç, dhe Shemsi Shaljani, 43 vjeç.
Sipas policisë, 31-vjeçarit iu gjet një armë zjarri pistoletë me municion, ndërsa nga verifikimet rezultoi se 43-vjeçari kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi nuk ndodhej në banesë.
Ndërkohë, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin “Kodra”, ku u arrestua Fatbardh Hyka, 69 vjeç, në fshatin Kodër Kashar.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, uniformat blu sekuestruan një armë zjarri pistoletë me municion, një armë gjahu dhe 112 fishekë, të cilat dyshohet se mbaheshin me qëllim shitjen.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e rasteve dhe për të verifikuar nëse të arrestuarit kanë lidhje me veprimtari të tjera kriminale. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.


