Një 38-vjeçar me precedent penal për krime kundër personit është arrestuar nga Policia e Vlorës, pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri dhe granatë. Gjatë kontrolleve në banesën e tij u zbulua edhe një arsenal armësh, municionesh dhe pajisjesh mbrojtëse.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Siguria 2”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Himarë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Në pranga ra shtetasi E. H., 38 vjeç, banues në Vlorë, i cili u ndalua në zonën e njohur si “Kthesa e Pilurit” në Himarë, teksa lëvizte me automjet.
Gjatë kontrollit, policia gjeti në çantën e tij një pistoletë me krehër të mbushur me fishekë, si dhe një granatë. Më pas, kontrolli u shtri edhe në banesën e të arrestuarit në Vlorë, ku u sekuestruan një tjetër armë zjarri pistoletë, krehra, municion luftarak, dy jelekë antiplumb dhe dy jelekë multifunksionalë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pistoletat, granata, municioni, krehërat, jelekët, automjeti me të cilin lëvizte 38-vjeçari, si edhe dy telefona celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.


