Zvicra ka siguruar një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Kolumbinë me penallti pas një barazimi pa gola në 120 minuta lojë në stadiumin BC Place.
Takimi ishte shumë i luftuar dhe me raste në të dyja portat, por asnjëra skuadër nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës gjatë kohës së rregullt dhe shtesës.
Kolumbia krijoi rastet e para më të rrezikshme me James Rodríguez, Luis Díaz dhe Gustavo Puerta, por portieri Gregor Kobel u tregua vendimtar me pritjet e tij. Në krahun tjetër, edhe Camilo Vargas ndali përpjekjet e Fabian Rieder dhe Dan Ndoye, duke mbajtur portën të paprekur.
Në kohën shtesë, Kolumbia pretendoi për një penallti, ndërsa Jhon Lucumí goditi traversën me kokë. Edhe Zvicra pati mundësi të artë me Zeki Amdounin, por sërish portierët ishin protagonistë.
Fati i kualifikimit u vendos nga pika e bardhë. Davinson Sánchez humbi penalltinë e parë për Kolumbinë duke goditur traversën, ndërsa Manuel Akanji gaboi për Zvicrën. Më pas Gregor Kobel priti goditjen e Cucho Hernández, duke i dhënë avantazhin zviceranëve, ndërsa Rubén Vargas realizoi penalltinë vendimtare që vulosi kualifikimin.
Me këtë fitore, Zvicra arrin për herë të tretë në histori në çerekfinalet e Kupës së Botës dhe do të përballet me kampionen në fuqi, Argjentinën, në një sfidë që pritet të jetë një nga më të fortat e turneut.


