Qindra qytetarë janë mbledhur edhe këtë mbrëmje në Tiranë, në ditën e 38-të të protestës kundër qeverisë. Ashtu si në mbrëmjet e mëparshme, protestuesit u grumbulluan fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.
Gjatë marshimit, pjesëmarrësit hodhën thirrje si: “Edi Rama, o legen, prite popullin se po vjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Revolucion” dhe “Ju erdhi fundi”, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e klasës së vjetër politike dhe ndryshime të thella në drejtimin e vendit.
Protesta, e cila ka hyrë tashmë në ditën e saj të 38-të radhazi, vijon të mbledhë qytetarë nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit, të cilët shprehin pakënaqësinë ndaj qeverisjes dhe situatës politike në vend.
Tubimi po zhvillohet në mënyrë të organizuar, ndërsa protestuesit vijuan me thirrjet dhe mesazhet e tyre përpara godinës së Kryeministrisë.


